Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota  patën sot një takim të përbashkët me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Ivo Daalder dhe William Kennard.

Gjatë takimit  ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Christopher Dell. Autoritetet kosovare u ndalën në mënyrë të veçantë në projektrezolutën e paraqitur nga Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ata njëzëri theksuan se asnjë rezolutë që konteston pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e saj të plotë, pa marrë parasysh modifikimet që mund t’i bëhen, nuk është e pranueshme për Kosovën.

Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Christopher Dell inkurajoi institucionet e Kosovës që të punojnë edhe më tej për përmirësimin e mirëqenies së jetës së të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie në mbarë Kosovën.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague.

Sic njofton zyra për shtyp e kryeministrit, gjatë bisedës, Thaçi dhe Hague u përqendruan te hapat që po ndërmarrin institucionet e Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Top Channel