
Shqipëria zhytet në atmosferën e Eliminatoreve të Euro 2012. Që nga pasditja e djeshme, skuadra kuqezi është grumbulluar në hotelin “Dyrrah” dhe do të zhvillojë një fazë përgatitore katërditore në prag të aventurës për dy ndeshjet e radhës, më 3 shtator ndaj Rumanisë në transfertë dhe më 7 shtator ndaj Luksemburgut në Tiranë.
Në dispozicion të trajnerit Josip Kuzhe do të vihen 23 lojtarë, nga të cilët dje janë paraqitur pjesa më e madhe. Salihi, Duro, Lika, Cana, Lika, Bulku e Vrapi kanë munguar për shkak të impenjimeve të djeshme me skuadrat përkatëse. Gjithsesi grupi pritet të kompletohet sot.
Ndërsa ndeshja e dytë konsiderohet e lehtë në letër, trajneri Josip Kuzhe do të synojë të përgatisë sa më mirë ekipin për sfidën ndaj rumunëve, me dëshirën për të fshirë ato kujtime të hidhura të 21 nëntorit të vitit 2007. Rumunia do të jetë pa kapitenin Kristian Kivu. Shqipëria me Rumaninë është ndeshur gjithsej 10 herë, nga të cilat ka koleksionuar 9 humbje dhe 1 barazim.
Pikërisht barazimi daton më 23 tetor të 1949, kur ishin shqiptarët që udhëhiqnin ndeshjen miqësore në Bukuresht 1-0, por janë barazuar në fund, duke humbur mundësitë e vetme për të marrë një fitore. Rumania dhe Shqipëria janë përballur dy herë në Eliminatoret e Europianëve, një herë për Euro 1988 dhe një herë për Euro 2008. Në këtë të fundit, Rumania arriti t’i fitonte të dyja sfidat me Shqipërinë, të parën 0-2 në Tiranë dhe të dytën 6-1 në Bukuresht.
Turpërimi në ndeshjen e kthimit u pasua nga polemika të shumta. Ndaj ajo humbje djeg ende. Rikthimi në Bukuresht është një motivim për kuqezinjtë, të cilët do të synojnë në fshijnë nga mendja ato kujtime të hidhura të natës së 21 nëntorit 2007. Këto eliminatore do të jenë dhe prova e vërtetë e skuadrës së ndërtuar nga trajneri kroat i Shqipërisë, Josip Kuzhe, i cili mori drejtimin në fundin e eliminatoreve të Botërorit 2010, pas shkarkimit të trajnerit të atëhershëm Ari Han.
Top Channel