
E vetmja zgjidhje që do të mund të sillte një “ditë të re” në Ballkan, është ajo që Serbia të respektojë realitetin e ri, se Kosova është një shtet i pavarur, dhe nga kjo gjë do të varet edhe progresi i vetë këtij vendi, deklaroi midis të tjerave Morton Abramoviç, diplomat veteran i njohur amerikan, bashkëpunëtor i lartë i fondacionit “Sençëri”.
Lidhur me pyetjen se si e konsideron ai situatën aktuale në relacionin Serbi-Kosovë, mbas shpalljes së mendimit të GJND-së, kërkesën e Serbisë për dialog mbi “të gjitha çështjet e hapura” që nënkupton edhe atë për statusin e Kosovës, dhe nëse ka ndonjë shans real që të ndodhë kjo, politologu i njohur amerikan theksoi: “Mendoj se çështja e statusit nuk mund të përbëjë më temë bisedimesh. Serbia mund të mendojë se ajo është ende një çështje e hapur, por, sipas mendimit tim, kjo çështje tanimë është zgjidhur. E vetmja gjë që nuk di unë është nëse Serbia është gati politikisht që ta respektojë këtë fakt. Kam mendimin se Beogradi ka marrë pak zemër se nuk ka pasur njohje të reja të Kosovës mbas shpalljes së mendimit të GJND-së, por kjo gjë në thelb nuk e ndryshon situatën. Ndërkohë ka shumë çështje të tjera, të mëdha e të vogla, që mund të diskutohen gjatë dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, që nga preokupimi legjitim për pozitën e serbëve e deri te siguria e objekteve fetare, por me sa shoh unë Serbia ende nuk është gati për këtë”.
Sa i përket faktit se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të zhvillohet një betejë diplomatike e ashpër rreth Kosovës, mbas paraqitjes nga Serbia të projektrezolutës së saj, dhe asaj se pritet që SHBA-ja t’i kundërvihet energjikisht kësaj të fundit, Abramoviç tha: “E di që Serbia ka paraqitur projektrezolutën e vet, por sikurse edhe e dini, bota do më shumë dialogun. Kur është fjala për Kosovën, dialog produktiv nuk do të ketë deri sa Serbia nuk do të jetë gati të marrë disa vendime thelbësore. Mendoj se SHBA nuk do të paraqesin ndonjë rezolutë të tyren. Sidoqoftë, qëndrimi i Uashingtonit zyrtar është se një dialog eventual për statusin nuk do të sillte asnjë rezultat. Pyetjes se si i konsideronte ai thirrjet e Serbisë për arritjen e një “zgjidhjeje kompromisi” që ka interpretime të ndryshme, që nga ndarja e Kosovës e autonomia për serbët e veriut të saj dhe deri tek ideja për shkëmbime territoresh, diplomati i lartë amerikan iu përgjigj duke theksuar se të gjitha këto çështje kanë qenë tema diskutimesh dhe janë hedhur poshtë.
“Unë, megjithatë, mendoj se bisedime të frytshme për çështje të rëndësishme do të mund të zhvillohen vetëm atëherë kur Serbia të jetë gati që ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe t’ia përshtatë këtë gjë politikës së vet. Duhet të kihet parasysh se Kosova nuk ka kurrfarë motivi që të marrë pjesë në bisedime që do të kenë për temë statusin e saj dhe ka shumë pak të ngjarë që ndonjë shtet i rëndësishëm ta nxisë Prishtinën për këtë, pavarësisht nga fakti se bota në tërësi dhe BE-ja, në një farë mënyre, janë të ndara lidhur me këtë çështje. Mendoj se më e vështirë do të jetë që ta kënaqësh Serbinë, nëse ajo nuk do të jetë gati që ta njohë Kosovën e pavarur. Sidoqoftë, konsideroj se duhet të bisedohet shumë deri sa të arrihet te një situatë e re, ajo e dëshiruar në Ballkan. Serbia, sikurse e thashë, ende nuk është gati që ta ndryshojë pozitën e vet, për shkak të motiveve politike të brendshme. Deri sa kjo të mos ndodhë, nuk do të ketë as bisedime serioze për çështje të tjera të rëndësishme, sikurse janë të tilla vizat, dogana… Për gjithçka sa thashë më sipër, duhet një mirëkuptim (marrëveshje) që Beogradi ta pranojë se Kosova është shtet i ri”, vuri në dukje Morton Abramoviç, që është gjithashtu anëtar i këshillit drejtues të Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe që karrierën e vet në Departamentin e Shtetit e mbylli si ambasador i SHBA-së në Turqi në vitin 1991.
Top Channel