Takime në nivele të ulëta diplomatike për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë janë zhvilluar gjatë verës midis përfaqësuesve zyrtarë të Shkupit dhe Athinës.

Shtypi grek ka shkruar se nuk kanë pushuar përpjekjet intensive për gjetjen e zgjidhjes për kontestin e emrit. “Bashkëpunëtorë të Kryeministrit grek Jorgos Papandreu janë protagonistë të negociatave sekrete që ende po zhvillohen midis Shkupit dhe Athinës”, shkruan gazeta greke “Macedonia”.

Sipas kësaj gazete të Selanikut, negociatat janë zhvilluar në prapavijë, me qëllim të afrimit të pozicioneve të të dyja palëve, para se të arrihet zgjidhja përfundimtare dhe të shqyrtohet propozimi i ri që pritet të pasojë muajin e ardhshëm nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

Emri Republika e Maqedonisë së Vardarit në mediat greke është një nga propozimet që mund të shpaloset së shpejti zyrtarisht nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

Top Channel