Fier, në shkolla mbërrijnë vetëm 30% e librave

28/08/2010 08:25

Afro 10 ditë para nisjes së vitit të ri shkollor 2010-2011, vetëm një pjesë e vogël e nxënësve të qytetit të Fierit janë pajisur me tekstet shkollore.

Shpërndarësit, por edhe ata që po vonojnë procesin, janë pikërisht shtëpitë botuese. Përgjegjësi i kurrikulave në Drejtorinë Rajonale Arsimore Fier, Ilir Lugaj, tha se problemi më i madh i shpërndarjes së tekstit shkollor qëndron te nënkontraktorët.

Lugaj sqaroi se shpërndarja e librit shkollor ka nisur më 25 gusht, afat ky i përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. “Janë nënkontraktorët ata që nuk u janë përgjigjur afateve të përcaktuara që më parë, ndaj po shihet një fillim procesi me pak probleme”, pohoi Lugaj, shefi i kurrikulave në institucionin më të lartë arsimor, Fier.

“Ne kemi nisur që të marrin informacion të detajuar nga drejtoritë e shkollave, lidhur me procesin e shpërndarjes së tekstit shkollor që në datën 20 gusht. Informacioni i mbledhur ditë pas dite ka treguar se procesi nisi zyrtarisht më datë 25 gusht. Duke parë edhe vonesat, kemi kontaktuar në mënyrë të përsëritur edhe më shpërndarësit. Edhe pse këta të fundit kanë premtuar se problemet do t’i zgjidhin shpejt, ne si drejtori arsimore nuk jemi ende të kënaqur”, sqaroi Lugaj.

Duke parë vonesën e shkaktuar nga pala e tretë, Drejtoria e Arsimit ka vënë në dijeni Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar ndihmë për zgjedhjen e kësaj situate, para çeljes së vitit të ri shkollor. Drejtoria e Arsimit në Fier u ka bërë thirrje që të respektohen kontratat për shpërndarjen e librit shkollor deri përpara datës 6 shtator, datë kur do të nisë zyrtarisht viti shkollor.

Aktualisht, katalogët e titujve të teksteve shkollore janë përzgjedhur nga drejtoritë e shkollave, kështu që këto të fundit kanë përgjegjësinë direkt të monitorimit të procesit. Pritet që javën e ardhshme procesi të ecë normalisht, por duhet pranuar se faza e distribucionit të librave nuk ka kaluar asnjëherë pa vonesa dhe pa probleme.

Top Channel