Tregu i banesave, preferohen vilat

27/08/2010 09:25

Tregu imobiliar po njeh një tendencë të re, atë të zhvillimit të shtëpive vila. Ndërtimet e para kanë nisur në njërën pjesë periferike të Tiranës, e tashmë i gjithë kryeqyteti po terrohet nga plane rezidenciale për ndërtimin e vilave.

Dy janë zonat më të preferuara dhe që kanë pasur hov të lartë zhvillimi: Lundra dhe Farka, në të cilat po shpenzohen miliona euro investime për krijimin e “fshatrave” afër metropolit shqiptar.

Stela Dhami, drejtore e një agjencie pronash në Tiranë, thotë se tendenca e ndërtimit të vilave u ngjason viteve ’50 në SHBA. “Janë individë që kanë mundësi të paguajnë më shumë për të pasur një vilë të tyre, më shumë hapësirë dhe gjelbërim, si dhe larg zhurmës së kryeqytetit. I përkasin shtresës elitare të shoqërisë si bankierë apo juristë, që preferojnë periferinë dhe një shtëpi të madhe”, tregon për gazetën, Dhami.

Sipas saj, këto vila nuk janë për individë me të ardhura mesatare, duke krijuar një lloj diferencimi të banorëve në zonat e reja rezidenciale.
 
Çmimet për metër katror të këtyre ndërtimeve variojnë nga zonat, dhe nisin nga 850 euro, e deri në mbi 1100 euro, nëse zona e vilave ndodhet akoma e më pranë Tiranës. Megjithatë, për komunat e Tiranës, të cilat janë duke u pasuruar, duhet pasur kujdes lidhur me planet zhvilluese. Mësohet se vetëm Farka i ka dhënë rëndësi zhvillimit urban, duke bashkëpunuar me ndërtuesit, kurse të tjerat janë në proces.
 
Drejtues të tjerë agjencish, thonë se interesimi për vilat në periferi ka qenë gjithnjë i madh, por sot janë pjekur kushtet për t’i bërë realitet.

Lidhur me zonat e tjera të vendit, p.sh, në bregdet, Dhami thotë se për momentin ka një interes të ulët për sa i përket zhvillimit të komplekseve të mëdha, për shkaqe që lidhen edhe me pronësinë.

“Aktualisht, në Jugun e vendit po shohim vetëm hotele të kapaciteteve të vogla që u përshtaten familjeve me të ardhura mesatare dhe nuk ka në proces ndërtime të një shkalle më të madhe, si edhe ambiente pushimi që i drejtohen elitës”, tregon ajo.

Megjithatë, interesimi për bregdetin është i madh, për shkak edhe të shtrirjes së gjatë, por problemi qëndron te mënyra e ndërtimeve, mungesa e planeve dhe konfliktet me pronën.

Pavarësisht problemeve, të huajt shprehin interes për të investuar, marrin informacione lidhur me tregun, por mbeten pezull në vendime për aq kohë sa nuk dihet se kujt i takon prona. Drejtues të agjencisë thonë se zonat më të preferuara janë plazhet e Rradhimës në Vlorë dhe Gjiri i Lalëzit në Durrës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta