Radhë e gjatë për t’u regjistruar në gjimnaze

25/08/2010 09:15

Në ditën e dytë të regjistrimit në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme, ka një fluks të lartë regjistrimesh.

Edhe pse sekretaritë e shkollave të mesme dhe shkollave 9-vjeçare do të qëndrojnë të hapura edhe në fundjavë, shumica e prindërve dhe e nxënësve kanë këmbëngulur që të futen në radhë për të qëndruar në vapë e më pas për të regjistruar fëmijët.

Radhët dhe mosmarrëveshjet e krijuara mes stafeve të shkollave dhe prindërve kanë qenë për shkak të “respektimit” të zonave.

Me certifikatën e lindjes, por edhe me dëftesën e shkollës 9-vjeçare, për shkollat e mesme kriter ka qenë vendbanimi i nxënësit.

Nëse vendbanimi është pranë gjimnazit apo shkollës, atëherë nxënësi është i detyruar të regjistrohet në atë shkollë pranë shtëpisë së tij.

Por për shkak të përvojës dhe famës në mësimdhënie, shkollat shumëvjeçare dhe me emër kanë pasur kërkesa, fluks qytetarësh e madje rrëmujë e zallamahi nga orët e para të mëngjesit e deri në drekë, mes vapës së nxehtë.

Madje, edhe nxënësit nga zona periferike e larg vendit të banimit kanë preferuar të regjistrohen në shkollat me traditë dhe jo në gjimnazet periferike apo me reputacion jo të krahasueshëm me të mesmet më të “famshme” të kryeqytetit. “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa”, “Ismail Qemali”, “Andon Zako Çajupi”, “Partizani”, mbeten ndër gjimnazet me më shumë kandidatë për të mësuar.

Në këtë rast, diferencën mes shumë kërkesave e ka bërë rregulli i vendbanimit, mesatarja, por edhe paraqitja gjatë ditëve të para të regjistrimit, atëherë kur prindërit e të njohurit bëjnë “namin” derisa të regjistrojnë fëmijët.

Sakaq, kritere të tjera përzgjedhëse, duke përfshirë edhe konkurrimin, kanë pasur shkollat e mesme profesionale e teknike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA