Matura, “digjen” kuotat bosh

25/08/2010 09:25

Rezultatet e fituesve në universitete për vitin e ri akademik tashmë janë shpallur, por nuk janë afishuar.

Sipas APRIAL-it, pritet mbyllja e konkurseve për shkollat specifike për publikimin e fituesve në universitetet në të gjithë vendin.

Edhe pse Matura Shtetërore do të ishte një proces që do të mbetej i njëjtë, por do të përmirësohej nga viti në vit, për 2010-n një tjetër ndryshim është përfshirë në listë.

Pakkush e di, por këtë vit akademik, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, të propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e miratuar më 07.07.2010, të gjithë ata që nuk do të shpallen fitues nga listat e para nuk do të kenë më të drejtë të vazhdojnë studimet në një nga degët e universiteteve të vendit.

Nuk do të ketë as plotësim të Formularit A3 apo A4, siç është bërë vitet e kaluara, duke kryer llogaritje e duke shpallur fitues në disa raunde sipas parimit meritë-preferencë.

Këtë vit, sipas pikës 19 të vendimit të Këshillit të Ministrave do të ketë vetëm një raund dhe kuotat e mbetura bosh nuk do të rishpërndahen.

Kjo do të thotë se pavarësisht vendimit të qeverisë për miratimin e më shumë se 23 mijë e 500 kuotave në të gjithë Shqipërinë, vendet bosh të atyre që kanë fituar në disa degë, apo të atyre që janë larguar jashtë vendit, do të mbeten po bosh, pasi ligji nuk njeh rishpërndarje të tyre.

Ndërkohë që vitet e kaluara procedura e rishpërndarjes së pikëve ka qenë për 4 faza rresht dhe maturantët që nuk fituan të drejtën e studimit konkurruan deri në fazën e fundit, duke plotësuar edhe Formularin A4, për të gjitha vendet e mbetura bosh. Kjo do të thotë që këto të drejta studimi “digjen” automatikisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA