Zjarret, vendi është “përflakur” në fundjavë

24/08/2010 08:40

Shtohen rastet e zjarreve në të gjithë territorin e vendit. Në fundjavën e kaluar janë shënuar disa vatra zjarri, mjaft prej të cilëve kanë qenë të qëllimshme.

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka prezantuar dje një pasqyrë të situatës së zjarreve në pyjet dhe kullotat gjatë tri ditëve të fundit. Por ajo që është shqetësuese për ministrinë është fakti se në shumë nga zonat ku janë vënë re vatrat e zjarrit, është hasur papërgjegjshmëri e banorëve dhe të autoriteteve lokale, të cilët nuk kanë dhënë ndihmë në shuarjen e flakëve.

Vatrat e zjarreve janë vërejtur në disa qytete të vendit, si në Berat, Tropojë, Tepelenë, Delvinë Kukës, Korçë, Pukë dhe Sarandë. Kështu në Berat, pasditen së shtunës është pikasur një rast zjarrvënieje në një pyll pishash, që mendohet se ka qenë i qëllimshëm. Ndërsa mbrëmjen e së dielës, janë shuar katër vatra zjarri në pyllin e Komunës Bytyç të Tropojës, ku janë djegur rreth 3 hektarë tokë.

Policia dyshon se edhe ky zjarr ishte i qëllimshëm dhe rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Po kështu ministria ka evidentuar të dielën edhe një zjarr në zonën Dukaj-Luzat, të Qarkut të Gjirokastrës, ku një zjarr i qëllimshëm i vënë nga barinjtë e zonës ka marrë përmasa të ndjeshme nëpër pyjet duke bërë të vështirë ndërhyrjen për fikjen e tij.

Vatra zjarri janë shfaqur edhe në Delvinë, ku zjarri i përhapur nga Saranda ka hyrë në zonën e Delvinës gjatë së dielës, në kullotat dhe pyjet e fshatit Dhrovjan, të Komunës Mesopotam, ku janë djegur rreth 30 hektarë, ndërsa zjarri është fikur në mbrëmjen vonë të së dielës. Në Rrethin e Korçës, tri ditë më parë janë djegur 5 hektarë pyje me shkurre në Qafën e Zvestës-Trestenik. Në këtë zonë është bashkëpunuar dhe me forcat zjarrfikëse të shtetit grek pasi zjarri ka rënë në kufirin midis dy vendeve.

Ndërkohë që autoritetet e Ministrisë së Mjedisit kanë nënvizuar se janë duke vëzhguar nga afër të gjitha pyjet e kullotat në vend në këtë sezon turistik, për të pasur nën kujdes raste të mundshme zjarresh apo zjarrvënieje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA