Zbulohet një tjetër skandal në përmbajtjen e teskteve shkollore në Maqedoni. Në shënjestrën e autorëve maqedonas edhe njëherë shqiptarët.

Sipas librit “Gjeografia”, nga i cili mësojnë nxënësit e shkollavë të mesme që nga viti 2003, “vendosja e shqiptarëve në Maqedoni ka filluar para 220 vjetëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe kjo vendosje që akoma vazhdon, është e rrezikshme për Maqedoninë”.

Më tej autorët në këtë libër kanë shkruar se “shqiptarët e Maqedonisë që e llogarisin veten si autoktonë, kryesisht janë popullsi maqedonase që gjatë periudhës së sundimit turk kanë pranuar fenë islame dhe janë shqiptarizuar”.

Midis tyre, shkruhet në libër, ka edhe ndonjë fis që ka prejardhje turke dhe rome ose çarkeze. Këto fyerje të autorëve maqedonas Partia Demokratike Shqiptare i quan shoviniste.

“Si enciklopedia maqedonase që nuk ishte e rastësishme dhe ishte e financuar nga kjo qeveri VMRO-BDI, ku mes të tjerave shqiptarët paraqiteshin si njerëz të ardhur nga mali, këtë e dëshmon edhe skandali i ri me librin e gjeografisë. Çfarë duhet pas teksteve shkollore shoviniste që BDI-ja të marrë vesh se është duke punuar kundër interesave të shqiptarëve?”, është shprehur Meral Uzeiri Ferati, deputete e PDSH-së.

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë, Abdilaqim Ademi premton se të gjitha këto gabime do të korrigjohen deri në shtator.

“Ne diskutuam edhe në qeveri dhe ramë dakord që Ministria e Arsimit të bëjë një revizion të teksteve aktuale që të eleminojë ato pjesë që mbjellin urrejtje dhe paragjykime për popujt që jetojnë në Republikën e Maqedonisë”, tha Ademi.

Top Channel