Dhuna në Kavajë, tre në pranga

24/08/2010 14:20

Fillimi i kampionatit shqiptar të futbollit, ka shënuar dhe rifillimin e ofendimeve e skenave të dhunës nga tifozët në stadium.(UPDATE)

Pikërisht që në javën e parë të kampionatit ndeshja Besa-Skëndërbeu nuk është përfunduar për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushë dhe goditjen e gjyqtarëve. Shkak ka qenë një episod në fund të takimit ku vendasit kavajas kanë pretenduar për 11-metërsh.

Vendimi i ndryshëm i gjyqtarit ka sjellë një reaksion agresiv të tifozerisë në shkallët e stadiumit, gjë që ka detyruar arbitrin e takimit Janku të ndërpresë ndeshjen për rreth 20 min që situata të qetësohej.  Por gjendja u përkeqësua dhe ndeshja u mbyll përpara kohës së rregullt. Në pamundësi për të kontrolluar turmën plotësisht në ato momente, policia e qarkut Tiranë ka reaguar pak orë pas ndeshjes duke arrestuar 3 persona, një nga Korca dhe 2 nga Kavaja, Agim Musaku 30 vjeç, Nazmi Lecini e Gëzim Muka 52 e 44 vjeç, ndërsa në hetim të lirë janë shpallur dhe 4 persona.Gjithashtu janë nxjerrë në kërkim dhe disa persona të tjerë të identifikuar tashmë nga policia si Erjon Ajdini, Aurel Myftiu, Skerdi Bizhdili dhe Naim Haxhiu.

Arrestimi i shtetasve sic bën të ditur policia ka si motiv sharjen dhe hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës. Gjithashtu këta shtetas nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme të kryera gjatë zhvillimit të lojës. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të këtyre shtetasve i janë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Kavajë për konsumimin e veprës penale të fyerjes për shkak të detyrës, kundërshtim dhe mosbindje të urdhrit të punonjësve të policisë si dhe prishje e rendit dhe qetësisë publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA