Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni deklaron në një intervistë për Top Channel se delegacioni kosovar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të synojë rrëzimin e rezolutës serbe.

Ai u shpreh se ka marrë përgjigje pozitive për njohje të reja të Kosovës.

“Janë duke u bërë përgatitje të gjithanshme dhe të gjitha po bashkërendohen me pesëshen dhe partnerë të tjerë të Kosovës në OKB. Janë bërë përgatitje të jashtëzakonshme që pretendojnë një sukses të plotë. Ndërkohë ne po vazhdojmë të komunikojmë çdo ditë me vende që nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe të gjitha këto në kuadër të përpjekje që po bëhen për përballjen me këtë sfidë të radhës, rezoluta e Serbisë. Përpjekjet serbe për t’a dëmtuar Kosovën në rrafshin ndërkombëtar do të dështojnë”, është shprehur Hyseni.

“E them me përgjegjësi të plotë. Gjëja e fundit që qytetarët e Kosovës duhet të shqetësohen janë njohje. Njohjet do të vijnë. Dhjetra e dhjetra vende janë duke u shqyrtuar çështjen e statusit”, deklaroi kryediplomati kosovar.

“Është jetike për Kosovën që të njihet edhe nga pesë vendet e BE-së dhe jo për një kohë të gjatë ata mund të distancohen nga jokoherenca e vendeve të BE-së. Nevoja për një koherencë në politikën e jashtme në mënyrë specifike ndaj Ballkanit, nuk guxon të mungojë për një kohë të gjatë. Prandaj jam optimist se edhe këto pesë vende do ta kuptojnë dhe do të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës”, theksoi Hyseni.

Top Channel