SHISH: 160 milionë lekë për informatorët

21/08/2010 08:55

Shërbimi Informativ Shtetëror shpreh rezerva mbi buxhetin që i është akorduar. Për shërbimin sekret shqiptar qeveria ka akorduar paraprakisht rreth 1 miliard e 333 milionë lekë, ose 100 milionë më shumë se buxheti i vitit aktual.

Po për drejtuesit e SHISH, vlera e propozuar e shpenzimeve nuk mjafton për të zhvilluar sektorin dhe shtrirë bashkëpunimin. Nisur nga pozicioni gjeografik ku ndodhet Shqipëria, niveli i kriminalitetit, korrupsionit, qarkullimi i mafies, dhe anëtarësimi në NATO, SHISH i kërkon Ministrisë së Financave të shtojë fondin me të paktën 160 milionë lekë për bashkëpunëtorët, “me synim për siguruar një informacion sa më cilësor nga informatorë të ndryshëm”.

Tjetër kërkesë lidhet me rrjetin e përgjimeve, ku Shërbimi Informativ thotë se i duhen edhe 4 milionë lekë të tjera për “përfundimin e blerjes dhe instalimit të qendrës së re të përgjimeve të telekomunikimeve”. SHISH ka të tjera kërkesa që lidhen me pagat e punonjësve, shërbimin financiar për ish-stafin e dalë në reformë, trajtimin e familjeve që dalin me shërbim etj.

Pasi ka shqyrtuar kërkesat për shtesa, Ministria e Financave ka gjykuar t’i japë SHISH-it vetëm gjysmën e fondit të kërkuar për informatorët, rreth 80 milionë lekë, si dhe t’i aprovojë fondin prej 4 milionë lekësh për përgjimet e telefonave.

Top Channel