Mediat e Kosovës kanë bërë të ditur se Maqedonia mund të jetë vendi i mundshëm për bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, kur të vendoset nga palët.

E përditshmja “Lajm”, duke cituar burime diplomatike në Maqedoni, ka bërë të njohur se Ohri është në mesin e qyteteve kandidate, ku do të mund të zhvilloheshin bisedimet eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, nëse dy vendet arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.

“Nëse vendoset që këto bisedime të zhvillohen në Ballkan, atëherë qyteti i Ohrit është konsideruar në mesin e adresave më të mira ku do të ulen të dy palët. Ohri njihet si qyteti ku u arrit Marrëveshja kornizë e Ohrit që e ndërpreu konfliktin e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në vitin 2001, andaj llogaritet si vend i përshtatshëm edhe për negociata mes palës serbe dhe kosovare”, tha një diplomat që kërkon të mbetet anonim.

I njëjti burim nuk përjashton mundësinë që selia e bisedimeve sërish të jetë Vjena, ose ndonjë kryeqendre tjetër europiane, por nuk përjashtohet mundësia që negociatat të zhvillohen me raunde – njëherë në Prishtinë e njëherë në Beograd. Faktori ndërkombëtar vazhdimisht po bën presion mbi Prishtinën zyrtare dhe Beogradin që të ulen në bisedime për të zgjidhur disa mosmarrëveshje. Vetë ulja e tyre në bisedime do të thotë se të dyja vendet do të pajtohen të vazhdojnë rrugën për hyrje në Bashkimin Europian. Të dyja palët janë të gatshme të bisedojnë, por për tema të ndryshme. Kosovarët pranojnë të bisedojnë me Serbinë vetëm si një shtet fqinj i Republikës së pavarur të Kosovës, edhe atë për çështje teknike që i prekin qytetarët e dy shteteve, ndërkaq Beogradi kërkon që me Kosovën të bisedohet për statusin final, pasi e konsideron të papranueshme pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.

Top Channel