Milo: Në OKB jo bashkë Topi dhe Berisha së bashku

21/08/2010 08:15

Ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Paskal Milo, e ka cilësuar si “të palejueshme, të dëmshme dhe madje qesharake” prezencën në delegacionin shqiptar në OKB të Presidentit, Kryeministrit dhe zv.kryeministrit së bashku.

Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Milo, i cili ka qenë ministër i Jashtëm nga viti 1997 e deri në vitin 2001, theksoi se “është normale që ministri i Punëve të Jashtme të jetë prezent, të udhëheqë delegacionin dhe të drejtojë të gjithë veprimtarinë e delegacionit shqiptar, por është e pafalshme kjo që pritet të ndodhë”. Duke iu referuar përvojës së shkuar, Milo thekson se kjo nuk ndodh për herë të parë, por edhe atëherë kur ne e kemi vërejtur këtë, jemi munduar që me shumë kujdes ta trajtojmë çështjen, duke mos shkaktuar incidente dhe probleme.

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thekson se në rastet kur ka ndodhur një rivalitet mes Presidentit dhe Kryeministrit disa vjet më parë, kanë ndërhyrë për ta zgjidhur situatën dhe përfaqësues të rëndësishëm të diplomacisë perëndimore të akredituar në Tiranë. Zoti Milo, nga ana tjetër, duke e analizuar këtë fenomen si në aspektin diplomatik, por edhe në atë praktik, theksoi se në një situatë të tillë, ku kemi një delegacion i “mbingarkuar” nga dy krerët më të lartë të shtetit, përkatësisht Presidenti dhe Kryeministri, në vend që të arrijmë rezultate të mira, do të kemi rezultate jo të mira, kjo kryesisht në aspektin e imazhit.

“Kjo situatë ndikon për keq dhe bëhemi qesharakë e madje objekt anekdotash në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Duke iu referuar ndodhive që kam përjetuar 10-11 vjet më parë, më kujtohet sikleti që i shkaktonte diplomacisë shqiptare kjo situatë”, theksoi Milo në një prononcim telefonik për gazetën “Shqip”. Duke ilustruar në rrafshin konkret, historiani i njohur, që ka shërbyer për një kohë të gjatë në krye të diplomacisë shqiptare, theksoi se rivaliteti krijon shumë probleme protokolli, pasi Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do ta ketë të vështirë për të caktuar se kush prej pjesëtarëve të delegacionit shqiptar do ta mbajë fjalimin. Ndërkaq, në lidhje me arsyen pse ndodh ky fenomen prej vitesh në Shqipëri, ish-shefi i diplomacisë e ka të qartë: “Është vetëm rivaliteti dhe përfitimi i favoreve, duke u përpjekur që të shtrëngojnë duart si me Presidentin Obama, apo me Sekretaren e Shtetit, Klinton, gjatë kohës kur zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme, pikërisht në mjediset e paana të ‘Pallatit të Qelqtë’ të OKB-së në Nju Jork”. Ndërsa në lidhje me argumentin se një delegacion i gjerë do të ishte më efektiv, meqë do të diskutohet çështja e rezolutës për Kosovën, ish-kryediplomati mendon të kundërtën.

Top Channel