Reagime të mëdha ka shkaktuar në Greqi publikimi i memorandumit të dytë me masa të reja antikrizë, që specialistët e FMN-së dhe BE-së i kanë kërkuar Athinës zyrtare, për të ulur defiçitin në masën 8% në fund të këtij viti, nga 13,6% që ishte në 2009-ën.

Këto masa kanë të bëjnë me rritjen e pagesës në shërbimet mjekësore spitalore dhe qendrat diagnostike, shkurtime të vendeve të punës nga 30 deri ne 50% në organizmin e hekurudhave dhe uljen e rrogave deri në 20%, reduktime të tjera në shpenzimet shtesë të rrogave të nëpunësve shtetërore dhe ngrirjen e tyre për disa vjet, reduktime të reja në pensionet e larta.

Me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike do të rriten akoma më shumë pagesa e faturave të shërbimit elektrik apo të ndërmarrjeve të tjera shtetërore.

Shtypi grek që i përshkruan këto masa si një “terapi-shok” në sektorin publik, parashikon një vjeshtë dhe një dimër të vështirë për qytetarët greke, që në muajt e ardhshëm do fillojnë të ndjejnë në palcë, krizën që kalon vendi, si dhe trazira të reja sociale me reagimin e sindikatave ndaj masave qeveritare.

“Dhjetë urdhërat e treshes së specialistëve për taksa 5 miliardë euro”, shkruan “To Vima” e së shtunës. “Lart taksat, poshtë rrogat”, është titulli karakteristik i Eleftherotipisë, ndërsa gazeta “Avgji” paralajmëron se “Furtuna të reja sjell memorandumi Nr2 i masave antikrizë”.

Specialistët europianë parashikojnë se ekonomia greke do të tkurret me 4% në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti dhe me 2,5% në vitin e ardhshëm.

Sipas Qendrës Greke të Konsumatorëve, kostoja e jetesës për një familje greke është rritur për ushqimet në 6%, TVSH-ja me 4%, akciza e karburanteve dhe e cigareve në mbi 20%, me pasojë rritjen e inflacionit dhe shifra rekord të papunësisë.

Ndërsa rënie e ndjeshme është regjistruar tek depozitat bankare me 4 miliardë euro në muajin korrik dhe 30 miliardë që prej fillimit të vitit.

Top Channel