EULEX-i ka paralajmëruar se në veri të Kosovës do të nisë arrestimin e personave “të cilët kanë shkelur ligjin”, raporton B92.

Zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, i ka thënë radio “Kontakt Plus” në Mitrovicë se EULEX-i planifikon arrestimin e personave të caktuar në veri të Kosovës dhe se ekipet e EULEX-it po punojnë në hetime dhe se shpejt mund të priten rezultate.

I pyetur se “shpejt” do të thotë një muaj, dy muaj apo gjysmë viti, Reeve është përgjigjur: “Mund të them se në pyetje janë javët, e jo muajt”. Ai nuk ka përmendur nëse janë nën hetime edhe disa përfaqësues politikë nga veriu i Kosovës. Reeve ka theksuar se ai dhe shefi i EULEX-ii, Yves de Kermabon, do marrin dijeni 12 orë para fillimit të aksionit dhe se ka shumë besim te prokurorët dhe policia e EULEX-it.

Ai ka deklaruar se EULEX-i ka filluar hetimet në fillim të këtij viti dhe se nga UNMIK-u kanë trashëguar me qindra raste dhe se prokurorëve dhe hetuesve të tyre u janë dashur disa muaj vetëm për t’i shikuar dhe për të vendosur se për cilat raste mund të vazhdojnë hetimet. Reeve ka thënë se hetimet në lidhje me atentatin e pasuksesshëm kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiç, është në vazhdim dhe se shërbimi hetues i EULEX-it është plotësisht i inkuadruar në zgjidhjen e këtij problemi. E njëjta situatë sipas tij është edhe me sulmin me bombë, të ndodhur dy ditë para këtij rasti në pjesën veriore të Mitrovicës, kur humbi jetën mjeku Mesud Gjokoviç, ka thënë zëvendësshefi i EULEX-it, duke theksuar se shpreson që këto hetime do të japin rezultate. KFOR-i dhe EULEX-i kanë zhvilluar dje një stërvitje të përbashkët, me emrin e koduar “Skifteri i Ballkanit 3 – 2010”. Qëllimi i stërvitjes, e cila ka pasur si vend Kampin e Vrellës, është forcimi i bashkëpunimit mes EULEX-it dhe KFOR-it, me qëllim rritjen e aftësisë së ndërveprimit. “KFOR-i dhe EULEX-i, së bashku me institucionet e tjera në Kosovë dhe ato civile ndërkombëtare, kanë për qëllim stabilitetin dhe paqen. Koordinimi i afërt është një çelës drejt suksesit”, thuhet në njoftimin e zyrës për marrëdhënie me median të KFOR-it. Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, tha dje se situata e sigurisë, përfshirë atë në veri të lumit Ibër, është e qetë dhe e stabilizuar. “Situata e sigurisë në Kosovë, në më shumë se 80 për qind të territorit të saj është e stabilizuar dhe e qetë. Kohët e fundit, në korrik, ne kemi pasur disa incidente në Mitrovicë. Ne po punojmë ngushtë me të gjithë partnerët, që kjo gjendje në të gjitha pjesët, përfshirë atë në veri të lumit Ibër, të mbetet e qetë sepse njerëzit atje e meritojnë këtë”, tha komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, në përfundim të ushtrimit të përbashkët “Skifteri i Ballkanit 3”, në kampin e Vrellës, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës.

Top Channel