Buxheti 2011, thellohet borxhi

21/08/2010 08:40

Qeveria ka në dorë planin paraprak të projektbuxhetit të vitit 2011, i miratuar dy javë më parë në mbledhjen e radhës.

I përgatitur nga Ministria e Financave, mbi bazën e kërkesave të paraqitura nga Ministrtë e linjës dhe institucionet e tjera, projektbuxheti parashikon rreth 395 miliardë e 206 milionë lekë shpenzime, ose rreth 24 miliardë lekë më shumë se 2010-a (e rishikuar), me rritje mbi 6 për qind.

Të ardhurat në total parashikohen të rriten me 7 për qind, duke planifikuar mbi 358 miliardë lekë arkëtime, me rritje afro 25 miliardë lekë, aq sa shpenzimet. Gjithsesi, nëse i krahasojmë me buxhetin e vjetër 2010 (para krizës), parametrat e vendosur nga qeveria për vitin e ardhshëm mbeten shumë më poshtë.
Përgatitja e projektbuxhetit 2011 është bërë në kuadër të hartimit të planit afatmesëm buxhetor 2011-2013, ku çdo institucion plotëson formularët me të dhënat e detajuara rreth shpenzimeve që parashikon të kryejë për tre vitet e ardhshme. Ky format zbatohet për të tretin vit radhazi dhe është rekomanduar nga BE-ja, sipas standardeve të reja perëndimore.
Bashkë me buxhetin janë miratuar edhe shtesat e kërkuara nga ministritë, si dhe rekomandimet e Ministrisë së Financave.

Të ardhurat

Duke i ndarë në zëra, të ardhurat parashikohet të jenë me rritje modeste, duke marrë shkas nga niveli i ulët i Prodhimit të Brendshëm Bruto (zhvillimi ekonomik) që parashikohet të na ndjekë edhe gjatë vitit 2011.

Nga tatimet dhe doganat pritet të mblidhen gati 254 miliardë lekë, konkretisht te TVSH-ja 135.4 miliardë lekë, tek akciza 43.2 miliardë lekë, tatim-fitimi 19 miliardë lekë dhe te të ardhurat personale rreth 43 miliardë lekë, ku rritja më e madhe pritet të realizohet te taksa TVSH, me rreth 14 miliardë lekë, si pasojë e zgjerimit të skemës për kalimin e biznesit të vogël në të madh (ulja e pragut vjetor).

Shpenzimet

Buxheti i vitit 2011 do të pësoje rritje, duke shënuar vlerën e mbi 395 miliardë lekëve. Gjithsesi, duke parë ecurinë e viteve të kaluara, për vitin që vjen parashikohet një buxhet më i matur, nisur nga kushtet e reja makroekonomike dhe ndikimi i të ardhurave jo shumë të larta. Bie në sy reduktimi i investimeve publike, me të cilat qeveria premton se do të ndërtojë rrugë, shkolla dhe spitale. Për vitin që vjen parashikohen rreth 65 miliardë lekë investime, ose 1.7 miliardë lekë më pak se këtë vit, përfshi rishikimin e buxhetit (me planin fillestar janë 20 miliardë më pak investime).

Ecuria e treguesve për shpenzimet në kategori të ndryshme do të vijojë rritje përgjatë 2011-s, si për ish-pronarët 300 milionë lekë më shumë, për ish të përndjekurit 600 milionë lekë më shumë, apo politika të reja pensionesh me 100 milionë lekë më shumë etj.

Deficiti buxhetor

Ashtu sikurse u premtua, Ministria e Financave ka vendosur një kufi më të ulët të deficitit, në masën 36 miliardë e 436 milionë lekë, ose 1.6 miliardë më pak se 2010-a. Megjithatë, stoku i borxhit vitin tjetër do të vijojë të rritet akoma e më shumë. Ministria parashikon një gjendje borxhi që arrin në rreth 777 miliardë lekë, ose mbi 40 miliardë lekë më shumë, ku pjesa dërrmuese (rreth 65%) i takon atij borxhi që qeveria u ka marrë bankave vendase.

Top Channel