Drejtues të Aleancës për ardhmërinë e Kosovës kanë vijuar akuzat e tyre ndaj qeverisë se kjo e fundit është duke bërë negociata të fshehta me Serbinë.

Por kjo parti nuk prezantoi fakte që do të dëshmonin për bisedimet sekrete ashtu siç kishte paralajmëruar.

Në një konferencë për mediat, anëtari i kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini tha se së paku në tre shtete perëndimore dhe në një shtet të rajonit, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, prej nivelit të këshilltarëve politikë dhe deri tek ai i kryeministrit kanë zhvilluar takime të fshehta me përfaqësuesit e Serbisë.

“Së paku në tre shtete të përëndimit dhe një shtet të rajonit nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, prej nivelit të këshilltarëve politikë dhe deri tek ai i kryeministrit, kanë zhvilluar takime të fshehta me përfaqësuesit e Serbisë”, është shprehur Gjini.

Por qeveria e Kosovës i quajti shpifje ordinere deklaratat e zyrtarëve të AAK-së për bisedime sekrete me Serbinë.

Për sa i përket takimit në Budva, zëdhënësi i qeverisë Memli Krasniqi tha se bëhet fjalë për një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi.

“Nuk ka pasur asnjë bisedim sekret dhe me Serbinë mund të ketë vetëm bashkëpunim ndërshtetëror, por jo bisedime apo negociata”, theksoi Krasniqi.

Top Channel