Shtetet kryesore të BE-së po i kushtëzojnë gjithnjë e më shumë përpjekjet e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE, me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ashtu sikurse duan këto shtete, sidomos, duke shtuar presionin mbi Serbinë lidhur me projektrezolutën e paraqitur nga ajo për Kosovën, në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të zhvillohet në javën e tretë të muajit shtator.

Këtë theksoi, midis të tjerave, në një intervistë që i dha gazetës së përditshme serbe “Politika”, Bozhidar Gjeliç, nënkryetar i qeverisë serbe, përgjegjës për integrimet europiane të këtij vendi.

“Për fat të keq, disa shtete anëtare me ndikim në BE kanë vendosur që ta përdorin ecurinë e kandidaturës sonë në BE si një lloj mjeti presioni ndaj Serbisë para dhe gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për çështjen e Kosovës. Për këtë arsye, nuk duhet të pritet që aplikimi ynë për anëtarësim në BE të shqyrtohet në muajin shtator, kështu që më realisht, ka shumë mundësi, që kjo të ndodhë deri në fund të vitit”, theksoi ai.

Sa i përket asaj se disa analistë politikë konsiderojnë se Serbia mund  ta harrojë integrimin europian të saj, në rast se vazhdon të ngulë këmbë te projektrezoluta e saj për Kosovën dhe nëse mund të shkojnë bashkë edhe aspirata e saj për BE-në dhe çështja e Kosovës, ashtu sikurse do Serbia, nënkryetari i qeverisë serbe vuri në dukje se disa shtete anëtare të BE-së, këto muajt e fundit, kanë filluar t’i lidhin më shumë këto dy procese.

Top Channel