Aleanca Kosova e Re, kërkoi të hënën nga Ministria e Punëve të Jashtme që ta tërheq ose zëvendësojë ambasadorin e Kosovës në Slloveni.

Bëhet fjalë për Anton Berishën, për të cilin, sipas nënpresidentit të AKR-së, Ibrahim Gashit, thuhet nga persona kompetent se është duke u hetuar nga EULEX-i për afera korruptive, që kanë të bëjnë me punën e tij në kohën kur ishte drejtor i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.
 
Sipas Gashit, ministria e Punëve të Jashtme duhet të reflektojë shumë shpejt në lidhje me këtë.
 
Ndërkaq, deklaratat dhe akuzat e AKR-së, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, nuk ka pranuar t’i komentojë.
 
Më herët është përfolur se, Anton Berisha, po hetohet nga EULEX-i për zhdukjen e garancisë bankare të konsorciumit “Kosmocell”, në vlerë 16.2 milionë euro, në kohën kur ai ishte drejtor i ART-së.
 
Nënpresidenti i AKR-së, ka kritikuar institucionet vendore për mungesë të rigorozitetit ndaj vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.
 
Sipas Gashit, zyrtarët serbë si puna e zv/kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, që shkelin rregullat të cilat i pranojnë kur marrin leje për të vizituar Kosovën, duhet të shpallen persona të padëshiruar.

Top Channel