Daçiç: Serbia do të ndryshojë rezolutën në OKB

16/08/2010 08:30

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëkohësisht ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, qëndroi në Kosovë, me ç’rast vizitoi Manastirin e Graçanicës. Daçiç mbështeti zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, la të hapur mundësinë për modifikimin e draft-rezolutës serbe dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por tha se nuk do të lejohen ndryshime që do të nënkuptonin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, veturat zyrtare të zëvendëskryeministrit të Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç, iu afruan Manastirit të Graçanicës, ku përfaqësuesi i shtetit serb u prit nga peshkopi Teodosjie dhe duartrokitjet e dhjetëra banorëve lokalë serbë.

Daçiç ritheksoi qëndrimin serb për zhvillimin e bisedimeve me palën serbe, bisedime këto të cilat, sipas tij, do t’i kontribuonin zgjidhjes së problemeve të qytetarëve serbë e shqiptarë, por edhe të çështjeve të hapura politike. Në deklaratën e tij, numri dy i qeverisë serbe theksoi se: “Është realiteti politik. Ju e dini që Kosova dhe gjithë Serbia ishin në okupim për shumë shekuj, është ndryshuar struktura etnike e popullsisë. Shqiptarët nuk duan të jetojnë në Serbi. Serbët që jetojnë në kushte specifike, në enklava apo në veriun e Kosovës, thjesht nuk duan të jetojnë në njëfarë shteti të pavarur të Kosovës. Një numër i shteteve të mëdha, të zhvilluara e të fuqishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, një numër shtetesh pa pajtimin e të cilave Kosova nuk mund të jetë pjesë e OKB-së, nuk e kanë njohur. Pra, krijohet situata që bisedimet duhet të vazhdojnë për atë se si do të shkohet më tutje dhe si do të zgjidhet kjo çështje”. Ministri i Brendshëm i Serbisë, shtoi se përveç interesit të popullit serb në Kosovë, Serbia duhet të ketë parasysh edhe realitetin politik pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Draft-rezoluta kundër shtetësisë së Kosovës, të cilën Serbia e kishte deponuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas prezantimit të mendimit të GJND-së, sipas ministrit të Brendshëm serb mund të pësojë ndryshime eventuale në javët e ardhshme. Megjithatë, Daçiç tha se në dokumentin në fjalë nuk do të lejohet të përmendet si fakt pavarësia e Kosovës. “Ekziston mundësia që ne ta përmirësojmë tekstin e projektrezolutës, por nuk mund të pranojmë që në tekstin e saj, pavarësia të përmendet si fakt i kryer”, u shpreh ministri serb. Daçiç mbështeti, po ashtu, kritikat e peshkopit Teodosje në lidhje me vendimin e misionit të NATO-s në Kosovë për kalimin e kompetencave për mbrojtjen e manastireve te Policia e Kosovës. Ai kërkoi implementimin e pjesës së Rezolutës 1244, që parasheh kthimin e forcave serbe në Kosovë- të cilat, sipas tij, do të duhej të mbikëqyrnin manastiret serbe në Kosovë. Ndërkohë, i pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ndalon shtesat financiare për qytetarët serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, ministri serb tha se “qeveria e Serbisë duhet t’i shqyrtojë seriozisht pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ai theksoi se duhet të kihet parasysh që pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kenë ndikim në gjendjen faktike në Kosovë dhe se mungesa e pushtetit të Serbisë në një pjesë të territorit të saj, e bën të diskutueshëm këtë vendim. Vizita e Daçiçit në vend u realizua në bazë të lejes së autoriteteve kosovare, për shkak të, siç thuhet, qëllimit fetar të vizitës.

Top Channel