Në 34 kanë arritur rastet e të infektuarve me virusin e Nilit Perëndimor në Greqinë Veriore, 11 prej të cilëve janë konfirmuar në 24 orët e fundit.

Por shqetësim ka ngjallur fakti se ndërmjet të sëmurëve, për herë të parë ndodhet edhe një 12 vjeçare e prekur nga meningjiti, që kurohet në spitalin e Sëmundjeve Infektive në Selanik, pa rrezik për jetën.

Ministria e Shëndetësisë greke ka deklaruar masa të tjera shtesë midis të cilave edhe karantinë për dhurimin e gjakut për një periudhë të paktën një mujore, në zonat ku janë shfaqur pacientët me encefalit apo meningjit, sëmundje të shkaktuara nga virusi në fjalë me anë të pickimit të mushkonjave.

Për këtë arsye organet e shëndetësisë pasi kanë marrë një ndihmë prej 40 mijë euro nga qeveria kanë dyfishuar spërkatjet me pesticide në zonat periferike të Selanikut, në Veria, Kozan, Kilkiz, Gjanitsa, Larisa dhe Halkidhiki.

Virusi i Nilit u shfaq për herë të parë në Greqi në fillim të muajit duke shkaktuar edhe vdekjen e tre personave, të prekur nga menigjiti apo encefaliti. Qendra e Parandalimit të Sëmundjeve Infektive, në një përpjekje për informimin e popullsisë, ka publikuar edhe të dhëna të reja përsa i përket virusit në fjalë dhe mbrojtjes prej tij.

Sipas udhëzimeve përkatëse, banorët e zonave të prekura, duhet të dinë se shenjat që shfaqen nga 2 deri në 14 ditë, janë temperaturë e ulët dhe dhimbje trupi, tek fëmijët e vegjël, temperaturë e lartë, infeksion syri, dhimbje koke dhe muskujsh tek moshat e reja, mosfunksionim të organeve, meningjit dhe encefalit tek të moshuarit.

Infektimi me virusin e Nilit konfirmohet vetëm nga analizat laboratorike dhe parandalimi ka kryesisht objekt informimin e popullisë dhe marrjen e masave për dëbimin e mushkonjave, përderisa nuk ka as vaksinë për këtë virus dhe as antibiotik që të mund ta përballojë.

Top Channel