Vendimi pozitiv për Kosovën nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, çdo ditë e më shumë po i jep zemër kryeministrit kosovar.

Nga pjesa veriore e Mitrovicës kryeministri Thaci deklaroi se në asnjë rrethanë nuk do të ketë autonomi për veriun e Kosovës.

Teksa po inspektonte punimet në lagjen Kroi i Vitakut, ai tha se, dokumenti i vetëm i zbatueshëm në Kosovë do të mbetet ai i presidentit Ahtisari dhe ligjet e shtetit.

Sipas, tij vendimi i GJND-së ka qartësuar çdo dyshim mbi territorin kosovar dhe tani e tutje nevojitet vetëm forcimi i zbatimit të ligjit më Mitrovicë.

“Veriu do integrohet si të gjitha pjesët e Kosovës. Dokumenti i presidentit Ahtisari është dokumenti i vetëm dhe në asnjë rrethanë është kërkuar dicka tjetër. Është një gjë që duhet harruar sa më shpejt”, ka deklaruar Thaci.

Ndërkohë, përsa i përket kontrabandës së mallrave në pjesën veriore, kryeministri tha se, të gjithë kontrabandistët tani e tutje i kanë ditët e numëruara. Ai premtoi se shumë shpejt do të hapet edhe gjykata atje.

“Dëshiroj të konfirmoj se gjithë kriminelët dhe kontrabandistët e kësaj pjese të Kosovës i kanë ditët e numëruara”, ka theksuar Thaci.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi ka premtuar siguri për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa dallim etnie.

“Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in do të krijojë një klimë të qetë për të gjithë banorët”, ka pohuar Rexhepi.

Sipas të dhënave të komunës së Mitrovicës, në lagjen Kroi i Vitakut janë kthyer 20 familje që numërojnë përafërsisht 100 banorë.

Në ndërtim janë edhe 15 shtëpi, kurse presin fillimin e ndërtimit edhe 20 shtëpi të tjera, si dhe për projektin prej 5 milionë eurosh për ndërtimin e 200 shtëpive të shkatërruara gjatë luftës në këtë lagje.

Top Channel