Grindet me prindërit, i kanos me kallashnikov

13/08/2010 09:45

Kanos me armë prindërit, arrestohet edhe për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Gështenjas, të Pogradecit, kur 43-vjeçari Jorgo Tare, pas një zënke me prindërit, u ka drejtuar atyre armën.

Pas denoncimit të familjarëve, uniformat blu kanë shkuar në banesën e 43-vjeçarit dhe pas kontrollit të ushtruar kanë zbuluar një arsenal të vogël municioni.

Sipas policisë, pas një sherri me prindërit e tij, 43-vjeçari që ka qenë më parë i dënuar për vjedhje, i kishte kanosur ata me jetë me një armë automatike.

Nisur nga fakti i përdorimit të një arme zjarri për kanosje, policia ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesë dhe ka gjetur atje edhe municione luftarake.

Nga policia janë kapur një armë automatike kallashnikov së bashku me një krehër me fishekë, 4 krehra të tjerë me fishekë automatiku, 470 fishekë, dy granata dore, si dhe 5 kapsolla detonatore.

Banori i fshatit Gështenjas, pas këtij kontrolli dhe gjetjes së armëve, është arrestuar jo vetëm me akuzën e kanosjes, por edhe të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Top Channel