U mbushen sot nëntë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni që i dha fund konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare maqedonase të sigurisë dhe guerilasve shqiptarë.

Me këtë rast duke folur për programin Zigzag të BBC-së, Ali Ahmeti, kryetar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, që në vitin 2001 ishte në ballë të Ushtshtrisë Çlirimtare Kombëtare, tha se kjo forcë politike kërkon që 13 gushti të shpallet festë shtetërore.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një pamflet politik apo një trakt për qëllime ditore propagandistike, por është një dokument me vlera historike dhe u arrit në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme të luftës së UÇK-së,” tha për BBC-në zoti Ahmeti.

“Është e vetmja marrëveshje politike paqesore që ka arritur me sukses të avancohet dhe jetësohet brenda kësaj periudhe”, tha ai.

Si arritje ai përmendi ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë dhe ndryshimin e statusit juridiko-politik të shqiptarëve në këtë vend.

Kreu i BDI-së tha se pret që ndërkohë të hiqet nga rendi çështja e përdorimit zyrtar në shkallë vendi edhe të gjuhës shqipe, por edhe që të rritet ajo që ai e qujati mirëbesim mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve.

Top Channel