Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të insistojë se qeveria e Kosovës ka nisur bisedime sekrete me Serbinë.

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala përsëriti sot deklaratat e kësaj partie, sipas të cilave, ekzistojnë fakte për bisedime të fshehta Prishtinë-Beograd.

Shala tha se qeveria aktuale, jo vetëm që ka vendosur kontakte të fshehta me Serbinë, por ka biseduar pa dijeninë e opinionit publik dhe medias në lidhje me çështje shumë të rëndësishme, si autonomia e veriut dhe modelet, që sipas AAK-së, shkelin parimet e pakos së Ahtisarit.

“Do të keni fakte dhe të dhëna të bollshme që do të konfirmojnë atë që kemi thënë. Qeveria e Kosovës e ka përgënjeshtruar një gjë të tillë, por faktet ekzistojnë. Dje qeveria përgënjeshtroi zërat se Tiroli Jugor është model për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, por dihet tashmë se dicka e tillë është biseduar”, u është drejtuar Shala gazetarëve.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaci, në një deklaratë të mbajtur ditën e sotme as nuk e konfirmoi, por as e përgjënjeshtroi mbajtjen e bisedimeve sekrete.

Ai i kërkoi opozitës që të kontribuojë në përgatitjen e Kosovës për paraqitjen në Asamblenë Parlamentare të OKB-së që do të mbahet më 14 shtator në Nju Jork.

Top Channel