Modeli i Tirolit Jugor, në Itali, mund të jetë mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve për veriun e Kosovës.

Kështu kanë deklaruar burime diplomatike, të cilat citohen nga mediat kosovare.

Sipas tyre, modeli në fjalë ka kohë që po diskutohet në qarqet diplomatike, ndërkohë që edhe qeveria serbe e ajo kosovare kanë dhënë sinjale pozitive.

Në bazë të këtij modeli parashikohet edhe modifikimi i pakos Ahtisari, në mënyrë që pjesa veriore e Kosovës të ketë më shumë autonomi financiare dhe kompetenca qeverisjeje.

Sipas burimeve diplomatike, garant për pjesën veriore, të cilës sipas modelit duhet t’i njihen katër komunat, do të jenë si Serbia ashtu edhe Kosova.

Tiroli Jugor, i njohur ndryshe si Alto Adixhe, është një provincë autonome në veri të Italisë, në kufi me Austrinë, e populluar kryesisht nga popullsi gjermanfolëse.

Top Channel