
Për herë të parë mbahet në Shqipëri “Java e muzikës britanike”. Aktiviteti, një nismë e British Council, do të zhvillohet me performancën e dy bandave shumë të njohura muzikore në Britaninë e Madhe.
“Tankus the Henge” dhe grupi tjetër “The Martin Harley Band”, do të luajnë për publikun shqiptar në 4 qytete të vendit: Durrës, Sarandë, Vlorë dhe Korçë.
“Muzika është një mënyrë e shkëlqyer për të bashkuar njerëzit. Ju mund të dëgjoni muzikën me të mirë britanike”, është shprehur Clare Sears, drejtore e British Council.
Muzika që vjen për publikun shqiptar nga Mbretëria e Bashkuar është një përzierje rrymash të ndryshme muzikore, të cilat do të sjellin atmosferën e festave popullore e karvaneve “gypsy” nga njëra anë dhe ritmet blues dhe jazz nga ana tjetër, të gjitha të përcjella në mënyrë mjeshtërore nga artistët britanikë.
Vokalisti i bandës “Tankus the Henge”, Jaz Delorean thotë se nuk e lanë t’u shpëtojë rasti për një tur në Shqipëri.
“Shqipëria është shumë e bukur, njerëzit janë shumë mikëpritës”, tha Delorean.
Java e muzikës britanike përkon me Natën e Bardhë në qytetin bregdetar të Durrësit dhe me festën tradicionale të birrës në Korçë.
Më 12 gusht koncerti “live” do të zhvillohet në Sarandë, 13 gusht ne qytetin e Vlorës, 14 gusht në Durrës, por mbyllja e këtij eventi do të bëhet më 15 gusht në qytetin e Korçës.
Top Channel