Për autoritetet kosovare, zgjidhja e integrimit të veriut nuk nënkupton kryekëput formën e parashikuar në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Martti Ahtisaari.

Kryeministri Hashim Thaçi, në një deklaratë publike, ka lënë të hapur mundësinë që pakoja të “preket”.

Ai ka theksuar se do të merren në konsideratë edhe modalitete të tjera, gjatë përpjekjeve për të vënë kontroll në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

“Ne kemi vetëm një zgjidhje, implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari, me ide kreative, të reja, me ide integruese në kuptimin gjithetnik dhe territorial”, ka theksuar Kryeministri Thaçi, pas vizitës së bërë në Odën Ekonomike.

“Por duhet të vazhdohet edhe me formimin e komunës së re (të Mitrovicës) dhe organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komunat e tjera, si dhe me vijimin e investimeve socio-ekonomike”.

Muajin e kaluar, ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, dhe këshilltari i Kryeministrit Thaçi, Dukagjin Gorani, u cituan nga mediat se kanë përmendur mundësinë e dhënies së një autonomie për veriun e vendit. Më pastaj ata kishin përgënjeshtruar se kanë përmendur fjalën autonomi.

Ndërkaq Kryeministri Thaçi kishte theksuar se autoritetet kosovare “njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës Veriore”.

Veriu i Kosovës që nga përfundimi i luftës, më shumë se dhjetë vjet më parë, ka vepruar jashtë kornizave ligjore të autoriteteve të Prishtinës dhe serbët e atjeshëm kanë qenë më shumë të ndikuar nga Beogradi zyrtar.

Top Channel