Vrasja në Tiranë, identifikohet autori

11/08/2010 19:45

Policia e Tiranës ka arritur të identifikojë autorin e vrasjes së të martës në mbrëmje në Tiranë.

Dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes që u shoqëruan në polici bënë të mundur edhe identifikimin e tij të plotë, që nuk bëhet publik për shkak të hetimit.

Pistat që ka ngritur policia kriminale janë dy, njëra ka lidhje me nje konflikt që ka ndodhur pak ditë më parë.

Viktima Leonard Bilali ka patur konflikt fizik me disa persona vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga Italia, në mes të muajit korrik.

Sipas informacioneve policore, vrasësi e ka ndjekur imtësisht Bilalin gjatë mbrëmjes së të martës dhe në momentin që ai ishte futur në një minimarket, në afërsi të stacionit të fundit të Tiranës së re, e ka qëlluar atë me pistoletë në bark dhe në kokë, duke u siguruar që ta vriste.

Por një tjetër pistë mbetet ajo e hakmarrjes. Një nga të afërmit e Bilalit akuzohej disa vite më parë se ishte i përfshirë në një vrasje.

Megjithatë, policia thotë se motivi i plotë i krimit do të dalë pas arrestimit të autorit, i cili është i identifikuar.

Top Channel