Sarandë, trazirat e ‘97-s, në një “muze” nënujor

11/08/2010 09:45

Gjashtë anijet e mbytura në gjirin e Limjonit, 13 vjet më parë, do të nxirren dhe pas restaurimit “do të rimbyten” në afërsi të ishujve të Ksamilit, për të krijuar një stacion të turizmit nënujor.

Ky është misioni që po kryhen këto ditë luftanija amerikane “Graple”.

“Zgjim” nga nënuji

13 vjet më vonë, episodet dramatike që shoqëruan rënien e shtetit shihen jo vetëm si një ëndërr e keqe. Ato kanë nisur të shihen edhe në analizën se si të kthehen nga antivlera në vlera. Kjo është duke u realizuar me një operacion “civil” të luftanijes amerikane “Graple”, të ankoruar ditët e fundit në Sarandë.

Në objektin e saj janë gjashtë katerat e fundosur 200 metra larg bregut, në ish-bazën detare të marinës, që “u pushtua” dhe u bastis në ditët e para të marsit të vitit 1997. Kjo anije dhe ekuipazhi i saj gjenden në kushtet e sigurisë së lartë dhe askush nuk lejon afrimin në rrezen e punës së saj. E ankoruar në gjirin e Limjonit, ajo ka gjithë pajisjet teknike dhe eksperiencën e duhur për të bërë nxjerrjen nga uji të katër katerave silurues, të një kateri të radës dhe një tjetër të kufirit.

Mësojmë se “Graple” ka ardhur në Sarandë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të bashkëpunimit ushtarak shqiptaro-amerikan. Sipas saj, pala amerikane i ofron ndihmë marinës shqiptare për kryerjen e operacioneve të ndryshme, sikurse është edhe ai i nxjerrjes nga uji dhe i shpërnguljes së anijeve të mbytura, duke i bërë ato të vizitueshme për qëllime turistike.

Në ditët e para të operacionit është bërë e mundur nxjerrja e dy anijeve të para luftarake, duke përdorur palombarë specialë, si dhe teknologji të sofistikuar. Pasi të nxirren edhe katër të tjerat, do të plotësohen të gjitha mungesat që do të konstatohen dhe do të zëvendësohen pjesët e dëmtuara, deri sa ato të ribëhen të lundrueshme. Pas kësaj, vendi i stacionimit të tyre do të jetë Ksamili, një hapësirë ujore e caktuar në afërsi të ishujve të tij.

Stacioni

Sipas të dhënave mësohet se bëhet fjalë për planin e ngritjes së një stacioni që ndoshta që prej verës së vitit 2011 do të vihet në shërbim të turizmit nënujor, për zhytje nënujore. Ky lloj turizmi është pak i aplikueshëm te ne, por shumë i njohur dhe i preferuar në botë.

Informimi rreth misionit dhe operacionit të anijes ushtarake amerikane “Graple” është bërë edhe më i rezervuar ditën e djeshme. Autoritetet shqiptare të bazës ndihmëse detare në Sarandë kanë pohuar për “Shqip” se, dy ditë më parë, tre njerëz të dyshimtë, që janë shtirur si gazetarë, kanë realizuar fotografime të ndaluara e pas kësaj janë zhdukur. E gjithë lëvizja e pseudogazetarëve mësohet se është fiksuar nga kamerat vëzhguese të instaluara në anijen amerikane.

Nga verifikimet e bëra dje ka rezultuar false edhe targa e automjetit të “gazetarëve” me mjekër dhe kjo ka shtuar edhe më tepër dyshimin dhe kërkimin për identitetin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA