
Termocentrali i Vlorës nuk do të prodhojë energji, të paktën edhe për një vit, për shkak të një avarie të rëndë që ka ndodhur në sistemin ftohës.
Pak ditë më pare, gjatë provave përfundimtare, para se TEC-i t’i kalonte zyrtaisht në pronësi palës shqiptare, tubi që bën ftohjen e termocentralit është carë dhe ka shkaktuar fikjen e menjëhershme të TEC-it.
Edhe pse avaria nuk u bë publike as nga KESH dhe as nga kompania italiane, Top Channel ka zbuluar se bëhet fjalë për një defekt të rëndë që do kërkojë shtyrjen edhe me një vit të afatitit të dorëzimit të termocentralit, i cili duhet të kishte përfunduar vite më parë.
Pas avarisë, KESH ka refuzuar marrjen në dorëzim të veprës, duke i kërkuar Bankës Botërore, që është edhe finanucesi i projektit, të pezullojë pagesën e mbetur për kompaninë italiane, një shifër prej 10 milionë eurosh, kërkesë që është pranuar nga banka.
Top Channel ishte një ditë më parë në Vlorë. Përfaqësuesit e kompanisë italiane që drejtojnë punimet e TEC-it refuzuan të jepnin një përgjigje zyrtare në lidhje me atë cfarë ka ndodhur dhe thanë se do ta bëjnë këtë pasi të kenë marrë miratimin nga selia qëndrore në Itali.
Por burime konfidenciale nga KESH thonë se shkaku i defektit është cilësia e dobët e punimeve nënujore. Të martën termocentrali u fut në konservim dhe do të qëndrojë ashtu për një vit, derisa kompania italiane të ndërtojë nga fillimi sistemin ftohës.
Zyrtarisht, vetëm kostoja e shtyrjes së projektit shkon rreth 400 mijë euro për shkak të shtyrjes së kontratës me kompaninë zvicerane “Kolacem”, që bën supervizimin e punimeve.
Por kjo mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e kostos shtesë, pasi nëse vendi do përballet gjatë muajve në vazhdim me thatësirë dhe ndërperje të energjisë kostoja mund të shumëfishohet për shkak të energjisë së munguar.
Top Channel