Selia blu sulmon Kushtetuesen

10/08/2010 08:30

Partia Demokratike në muajin shkurt të këtij viti aktivizoi një kërkesë për referendum, por jo formale, pas rrëzimit të ligjit të lustracionit.

Deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila bëri të ditur qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së në lidhje me këtë çështje, theksoi rrugët që u mbeteshin demokratëve për të vënë në jetë edhe projektin e tyre për të dënuar krimet e komunizmit.

Sipas Dodës, gjyqtarët e Kushtetueses kanë marrë një vendim të gabuar, falë presionit politik që është ushtruar ndaj tyre.

“Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar, kjo edhe falë presionit politik të opozitës dhe personalisht të Edi Ramës ndaj kësaj trupe gjykuese”, theksoi deputetja e PD-së në emër të grupit parlamentar.

Përveç faktit se ajo e konsideroi këtë vendimin si në kundërshtim me të drejtën, Doda akuzoi trupën gjyqësore të Kushtetueses si të implikuar drejtpërdrejt në krimet e komunizmit dhe për pasojë në konflikt interesi me ligjin, të cilin e rrëzuan.

“Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ‘89, janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit”, deklaroi Doda.

Top Channel