Qeveria “tallet” me komunat

10/08/2010 08:45

Se çfarë mund të bëjë një komunë me 1100 lekë për të ndërtuar apo rehabilituar ujësjellësin, këtë e di vetëm ministri i Financave dhe Kryeministria, që mbulon programin e “Zhvillimit të rajoneve”.

Gazeta “Shqip” disponon listën e gjatë me komunat që kanë përfituar fonde për projekte që lidhen me ujësjellësit, në kuadër të vendimit të qeverisë “Për zhvillimin e rajoneve”, që menaxhohet nga një komitet me seli qendrore në Kryeministri.

Bëhet fjalë për rreth 965 milionë lekë që u janë ndarë 105 njësive vendore, pjesa dërrmuese komuna, ku mes tyre ka nga ata njësi që kanë përfituar shuma qesharake, si 1100 lekë, 1400 lekë apo 4000 lekë.

Kështu, komunat Shushicë në Elbasan, Maminas në Durrës, Allkaj në Lushnjë, Pajovë në Peqin dhe Qendër në Vlorë, kanë marrë secila nga 1100 lekë për rikonstruksionin dhe përmirësimin e ujësjellësve në disa fshatra që administrohen nga këto njësi vendore.

Në listë nuk mungojnë komuna që kanë përfituar 3300 lekë, si ajo e Cepos në Gjirokastër për rikonstruksionin e rrjetit të jashtëm të ujësjellësit në Mashkullore, Komuna Ballaban në Përmet, që ka marrë 4400 lekë, ashtu dhe Lekbibaj në Bajram Curri, për ndërtimin e ujësjellësve në disa fshatra.

Janë të shumta njësitë vendore që kanë marrë nga buxheti i shtetit shuma nga 5 mijë deri në 8 mijë lekë, ku bie në sy edhe Bashkia e Kavajës, që ka përfituar 5500 lekë për rehabilitimin e furnizimit me ujë të zonës ish-Arkat e Qelqit.

Në detajimin e fondeve, ka komuna që kanë shuma të konsiderueshme, disa herë më të larta, si ajo e Paskuqanit në Tiranë, rreth 54 milionë lekë, Armen në Vlorë, 36 milionë lekë, Mollas në Elbasan me 35 milionë lekë, Bashkia Vorë me 30 milionë lekë etj., që të gjitha për rikonstruksione.

Top Channel