PS akuza për korrupsion

10/08/2010 15:55

Duke e cilësuar qeverisjen aktuale si të ngritur mbi korrupsionin dhe abuzivizmin, selia rozë ka renditur akuzat e radhës ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi e bashkë me të edhe familjarëve të saj.

Sipas deputetit të PS-së, Besnik Bare, kabineti aktual funksionon nën skemën e motrave.

“Mimoza Vokshi drejtoreshë sygjeron, Albana Vokshi këshillon dhe Berisha në karrigen e kryeministrit firmos për burrin e motrës së vogël Vokshi, pra për bashkëshortin e Albanës. Kjo është skema për të përfituar 4 miliardë dollarë pasuri të shqiptarëve. Berisha sot bën mirë të mos heshtë por të flasë, firmën e ka vënë ai për këto 4 miliardë dollarë pasuri publike. Berisha sot duhet t’u japë llogari shqiptarëve si ka firmosur pikët bonus, vetëm  e vetëm që burri i Albanës të merrte katër koncensione në naftë dhe gaz, po ashtu edhe dy hidrocentrale?”, është shprehur Bare.

Për socialistët heshtja e kryeministrit flet vetë për ndërlidhjet korruptive mes pushtetit biznesit dhe familjes politike të Berishës.

“Bashkautorësia korruptive në rastin Vokshi është e pastër dhe e publikuar. Dyshimet mbeten vetëm tek si janë të ndara përfitimet korruptive për atë që hedh firmën, pra mes kryeministrit e motrave Vokshi si është ndarë në pjesë 4 miliardë pasuri publike? Shteti i motrave ka detyrimin ligjor të përgjigjet! Nëse sot organet e drejtësisë janë të sunduar dhe të gjunjëzuar nga shteti i motrave e nuk hetojnë e japin llogari për çështjet Vokshi e Prifti, nesër qytetarët shqiptarë të jenë të bindur se çdo konçension e privatizim korruptiv do të zhbëhet”, theksoi Bare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA