Ndërtuesit: Tirana, 450 pallate pa hipotekë

10/08/2010 08:50

Në Tiranë numërohen rreth 450 pallate pa hipotekë, duke u kthyer në shqetësim serioz për Shoqatën e Ndërtuesve.

Sipas tyre, një pjesë e pallateve nuk marrin hipotekë për shkak të shtesave pa leje, ndërsa të tjerat lidhen me pengesën fiskale.

Sakaq, ndërtuesit deklarojnë se objektet kanë marrë lejen e re nga bashkia dhe kaluan për legalizim nga ALUZINI, që më pas duhet t’ia përcjellë Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë, por që këtu ka ngecur procesi.

“Nga 450 pallate pa hipotekë, ALUIZNI ka kaluar për miratim në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, dosjet për 150 objekte, që edhe këto nuk po marrin ‘dritën jeshile’. Në shtator do të kërkojmë takim me kreun e hipotekave, për t’i dhënë zgjidhje problemit”, tha për “Shqip”, Maksim Muçi, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës.

Por kreu i Hipotekës, Arben Qirjako, sqaron se mungesa e hipotekës lidhet me taksat e papaguara në tatime dhe konfliktet e pronësisë.

“Për çdo objekt të rregullt me letra, ne kemi vepruar sipas ligjit duke e miratuar, madje në kohë sa më të shpejtë. Sa i takon çështjes në fjalë, këto pallate hasen me dy probleme që lidhen me mospagimin e taksave dhe konfliktin e pronësisë, pra mos pasjen e kontratës me pronarët e truallit”, tha Qirjako.

Top Channel