Pas analizave laboratorike në mesditen e së hënës organet greke të shëndetësisë kanë deklaruar se shkak për vdekjen e tre personave në ditët e fundit nga meningjiti dhe encefaliti, është përfundimisht virusi i Nilit Perëndimor.

Pas këtyre rezultateve janë shtuar masat e marra për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, duke marrë shkas edhe nga numri i madh i personave që janë infektuar prej fillimit të muajit korrik, gjithësej 16.

Prej tyre, javën e kaluar kanë vdekur dy gra rreth të shtatëdhjetave, ndërsa dje një i moshuar 79 vjec, i cili kishte edhe historik të rënduar shëndetësor.

Ndërkaq, në spitalin e sëmundjeve infektive në Selanik kurohen tashmë 12 pacientë me simptomat e virusit në fjalë, një prej të cilëve në gjëndje kritike për jetën.

Mjekët dhe specialistët këshillojnë qytetarët të jenë gjakftohtë, duke theksuar se ky virus përhapet vetëm me pickimet e mushkonjave dhe se vetëm 1% e atyre që infektohen, kryesisht grupmoshat mbi 60 vjec, mund të shfaqin probleme serioze shëndetësore si encefalit, apo meningjit.

Shqetësues ndërkohë mbetet fakti se pothuajse të gjithë të infektuarit në 35 ditët e fundit, që tashmë marrin ndihmën mjekësore në spitalin infektiv në Selanik, vijnë nga qytetet fqinje si Kilkiz, Veria dhe Janitsa.

Top Channel