Berisha: Turizmi në rritje

10/08/2010 15:40

Për të promovuar turizimin shqiptar kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur kalanë e Himarës, një nga kështjellat më të vjetra në vend, por edhe me një simbolikë të fortë, sepse, me vdekjen e Skënderbeut dhe rënien e Krujës, i biri, Gjon Kastrioti, zgjodhi kalanë e Himarës për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Në kohët moderne këto vende po tërheqin turistë gjithnjë e më shumë dhe kryeministri Berisha është i kënaqur që numri i tyre po rritet çdo vit.

Sipas tij, vetëm në tetë ditët e para të gushtit në Shqipëri kanë hyrë 430 mijë vizitorë ose 16 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kryeministri Berisha e shpjegon gjithçka me infrastrukturën e rindërtuar të vendit.

“Së pari, një infrastrukturë moderne dhe investime të mëdha në mbarë vendin. Ne kemi shumëfishuar investimet në zonat turistike me dhjetëra e dhjetëra herë, por dua të theksoj se investimi më i madh i bërë në historinë e këtij vendi, rruga e kombit, është shndërruar gjithashtu në një levë arkimedi për turizmin shqiptar. Kjo rrugë po rrit me shpejtësi marramendëse fluksin turistik në të gjithë ultësirën bregdetare dhe bregun e Jonit”, është shprehur Berisha.

Kryeministrit gjeti rastin të ftojë opozitën të pranojë ndryshimet që ka pësuar vendi në këto pesë vjet, duke mos mohuar gjithçka është bërë gjatë qeverisjes së tij.

“Ndaj unë dua t’i ftoj zotërinjtë apo shokët e opozitës ta kritikojnë qeverinë, pasi kjo është detyra e tyre, por të mos mohojnë. Nihilizmi në Shqipëri shkoi deri në mohimin e zotit. Të mos e harrojnë kurrë këtë. Ky është realiteti. Himara është kjo, me të gjitha këto investime dhe infrastrukturë. Shqipëria është kjo, me të gjitha këto ndryshime. Unë i ftoj opozitarët të vizitojnë vendin e tyre, ta prekin realitetin. Ky realitet nuk është kurrë rozë, nuk është kaq i purpurt, ka të gjitha arritjet e problematikat, por nihilizmi është absolutisht, mohimi i vetvetes në një farë mënyre, pasi çdo gjë që të bësh, realitetin nuk mund ta mohosh”, theksoi Berisha.

Kryeministri tha se qeveria është e vendosur të kompletojë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe bregut të Jonit dhe duke nisur nga viti i ardhshëm qeveria do të përqëndrohet në përmirësimin e infrastrukturës turistike malore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA