Mendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësie mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe pas tri javësh nuk solli ndonjë njohje.

Pritjet ishin të mëdha por, shteti i ri ende nuk ka marrë asnjë konfirmim për njohje. Numri aktual i njohjeve mbetet 69.

Megjithatë, zyrtarët kosovarë vazhdojnë të deklarojnë se mendimi këshilldhënës i GJND-së do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek shtete që ende nuk kanë njohur Kosovën.

“Mendoj që mendimi i GJND-së do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në njohje të cilat do të ndodhin nga shtetet që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por mendimi i GJND-së ka më shumë ndikim  në bazamentin e ndërtimit të shtetit të Kosovës përballë së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hajredin Kuci.

Sipas tij, fillimisht Kosova duhet të marrë mbështetje politike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke u mbështetur në shtetet përkrahëse të saj.

“Ne jemi duke punuar vazhdimisht me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne presim që njohjet të ndodhin edhe para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të sesionit vjeshtor, por gjithësesi presim që ky proces të jetë i ndërlidhur në kuptimin e mbështetjes politike që duhet ta marrim në Asamblenë e Përgjithshme. Jemi në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëatr, ata që janë në Kosovë dhe jashtë Kosovës, me BE-në dhe SHBA-të dhe mendoj që rrugëtimi në këtë drejtim është i sigurt. Ndoshta pa shumë bujë në opinionin publik, por ne jemi në intensitet të shtuar me kanalet diplomatike”, ka pohuar Kuci.

Ndërkohë, sa i përket hartimit të rezolutës serbe për Kosovën, zyrtarët kosovarë zotohen se do të jenë partnerë të denjë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke ruajtur pavarësinë e shtetit, tërësinë territoriale në koeficient të plotë me partnerët ndërkombëtarë, por në asnjë mënyrë jo me lojërat diplomatike që mund të bëjë politika serbe.

Top Channel