Vrau një grua, kapet pas 7 vjetësh nga policia

07/08/2010 10:30

Kapet pas 7 vjet kërkimesh, 34-vjeçari që vrau një grua në mes të qytetit të Shkodrës. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se mëngjesin e djeshëm, rreth orës 04:00 është bërë e mundur kapja e Lek Thanit.

I shumëkërkuari është kapur në banesën e tij në fshatin Plan, të Dukagjinit. Thani, tashmë 34 vjeç, 7 vjet më parë ka qëlluar për vdekje një grua në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që kërkohej dhe për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.

Burime nga policia bëjnë të ditur se ka qenë një informacion i marrë në rrugë operative se personi i kërkuar, i cili bënte jetë prej kaçaku në malet e Dukagjinit, ishte kthyer në banesën e tij pak ditë më parë.

Lekë Thani në datën 4 maj të vitit 2003, në lagjen “Partizani”, të qytetit Shkodër, ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta, shtetasen Dila Kuvendi, 30 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më 17 shkurt të vitit 2006, e kishte shpallur atë fajtor duke e dënuar në mungesë me 15 vite heqje lirie për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, rezulton se ky shtetas është autori i kultivimit të disa parcelave me bimë narkotike kanabis sativa, në fshatin Plan të Komunës Pult.

Ndërkohë, mësohet se ditën që është zhvilluar operacioni i policisë për asgjësimin e bimëve narkotike, 34-vjeçari ka marrë në telefon inspektorin e zonës duke e kërcënuar.

Tashmë Lekë Thani, përveç masës së dënimit që ka për veprat e “Vrasjes së kryer me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake“, do të gjykohet për “Kultivim të bimëve narkotike”, si dhe “Kanosje për shkak të detyrës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA