Spitali i ri, shtyhet prerja e shiritit për prova teknike

07/08/2010 09:55

Masterplani brenda qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, projekti i madh gati 20-vjeçar, ende nuk ka prerë shiritin e inaugurimit.

Hapja e spitalit të ri në zemër të qendrës universitare në Tiranë, duhej të kryhej që në mars të këtij viti.

Më pas, për çështje fondesh e pajisjesh, hapja e aktivitetit të kësaj qendre shumëfunksionale u shty për në muajin qershor.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, masterplani ende nuk është gati për të nisur punën.

Për më shumë, disa çështje të lëna pezull e disa të tjera që ende nuk janë përmbushur sipas afateve të përcaktuara, do ta shtyjnë më tej në kohë hapjen e spitalit më të përfolur e të shumëpritur nga stafet mjekësore e autoritetet shëndetësore.

“Inaugurimi nuk është bërë ende, për shkak të disa provave të përsëritura. Bëhet fjalë për procedura teknike, të nevojshme për të qenë profesionale dhe avangardë siç do të jetë edhe kjo qendër. Impianti i gazit, ujit dhe pajisjet specifike ndodhen ende në fazë provash, instalimesh, si dhe përmbushje të procedurave të tjera të nevojshme për të vendosur spitalin në funksion të plotë”, sqaroi zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Nuk është dhënë ende një afat i qartë lidhur me prerjet e shiritave në këtë qendër, por jo vetëm për këto prova teknike, edhe për çështje të tjera, si mobilim, etazher apo aksesorë të nevojshëm për funksionin e spitalit do të jenë shkak për vonesën e nisjes nga puna të masterplanit të QSUT-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA