Menjëherë pas publikimit të raportit vjetor të luftës kundër terrorizmit nga Departamenti amerikan i Shtetit, kanë ardhur edhe reagimet e para nga Prishtina.

Në fakt, në raport përshkruhej me tone tepër kritike situata në Kosovë, ku shumë organizata jofitimprurese janë jashtë kontrollit dhe, sic theksonte raporti, pastrojnë para të pista që vijnë nga Lindja e Mesme.

Por qeveria kosovare ka deklaruar se mban pergjegjësitë e veta për këtë situatë. Burime pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar për TCH se ministri Bajram Rexhepi ka kërkuar hetim të imtësishëm të OJQ-ve islamike, edhe pse një gjë e tillë mund të bjerë ndesh me ligjin.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka ka deklaruar se Kosova nuk është vend imun ndaj terrorizmit.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se është ngritur njësia anti-terrorizëm dhe po zhvillohen disa hetime në këtë drejtim.

“Janë disa procese hetimore që nuk mund të bëhen të njohura për opinionin publik, por PK do të jetë e angazhuar për të vazhduar këto procese, të nisura në bashkëpunim me prokuroritë rilevante”, ka pohuar Beka.

Zyrtarët policorë deklarojnë se Kosova mund të përdoret si vend tranzit, por nuk është në rrezik nga sulmet terroriste.

Sa për kufijtë, të cilët nuk konsiderohen të sigurtë, atoritetet kujtojnë se prej më shumë se 10 vjetësh ato kontrollohen nga KFOR-i.

Top Channel