Plehra në rrugë, 1 milion lekë gjobë për Komunën Levan

07/08/2010 10:45

Komuna Levan gjobitet me 1 milion lekë, për shkak të pranisë së mbetjeve urbane përgjatë segmentit rrugor Fier–Levan–Mifol.

Ka qenë inspektorja e Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Fier, Angjelina Mërtiri, ajo që e ka bërë publike këtë masë ndëshkimore, e cila ka ardhur pas inspektimeve të kryera ditët e fundit.

Sipas Mërtirit, një grup pune që prej 4 ditësh po kryen kontrolle në terren dhe situata e krijuar në segment rrugor, i ka detyruar të marrin masë ndëshkimore të menjëhershme ndaj komunës,  e cila ka për detyrë largimin e mbetjeve në mënyrë sistematike.

“U kemi komunikuar drejtuesve të komunës vendosjen e gjobës prej 1 milion lekësh dhe u është lënë afat kohor për ndërhyrje të menjëhershme prej 3 ditësh. Nëse nuk do të ketë një reflektim, atëherë do të ketë një tjetër sanksion detyrimisht që përcaktohet me ligj”, ka thënë përfaqësuesja e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier.

I kontaktuar nga gazeta, kreu i komunës Agim Qejvani ka pohuar se këto mbetje urbane hidhen gjatë natës prej lokaleve dhe nuk arrihet që të largohen në kohë prej strukturave të komunës.

Duke qenë se kjo periudhë është periudhë dasmash dhe festash, pothuajse çdo ditë ka derdhje të mbetjeve urbane nga lokalet përgjatë këtij segmenti rrugor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA