Me “pushime” në Sarandë, kapet për tregti droge

07/08/2010 10:35

Një 16-vjeçar nga Kamza e Tiranës kishte zgjedhur Sarandën për “të ushtruar” tregtinë e lëndëve narkotike. Ai është ndaluar pasditen e së enjtes në kushtet e flagrancës, në vendin e quajtur “Lulishtja e Paqes”, duke “peshkuar” disa të rinj.

Burimet zyrtare të policisë së Sarandës bëjnë të ditur se 16-vjeçari M. C., i lindur në Burrel dhe banues në Kamzë të Tiranës, është prangosur pas gjurmimit dhe identifikimit si narkotrafikant nga agjentë të Seksionit të Luftës kundër Krimit të Organizuar në Komisariatin e Policisë së Rendit në Sarandë.

Gjatë kontrollit iu kap një sasi prej 40 gramë lëndësh narkotike e llojit kanabis sativa.

Droga ishte paketuar në 8 qeska të vogla, përgatitur për shitje. Ndërkohë në Fier, tre persona janë prangosur prej policisë për akuzën e “prodhimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike”.

Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se Egli Poçi, 20 vjeç, Klodian Yzeiri, 30 vjeç dhe Aurel Shanka, 19 vjeç, të 3 banues në fshatin Fermë-Çlirim të Komunës Dërmënas të rrethit Fier, janë arrestuar në orën 22:00 të së enjtes, pasi u janë gjetur me vete rreth 15 gramë kanabis sativa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA