
Teksa kriza politike mes mazhorancës dhe opozitës ende nuk ka gjetur rrugën e zgjidhjes, Lëvizja Socialiste për Integrim është hedhur një hap më tej duke shtuar presionin ndaj kryesocialistit Rama përsa i përket garës së ardhshme për zgjedhjet vendore.
Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama theksoi se përballja e kryeqytetit është prioriteti kryesor i sfidës politike dhe elektorale të kësaj force, dhe sipas tij bashkëpunimi me Partinë Demokratike do t’i japë humbjen kreut aktual të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama.
“PS dhe lidershipi i saj e di shumë mirë se cili ka qenë roli i LSI në fitoren e saj në zgjedhjet e kaluara lokale, ashtu sikurse e di shumë mirë se cfarë do të ndodhë nëse sjellja e tyre do të jetë e njëjtë ndaj LSI dhe shqiptarëve”, ka deklaruar Luan Rama.
Edhe pse pritet që dy aleatët, Partia Demokratike e Lëvizja Socialiste për Integrim, të dalin me emra të përbashkët në zgjedhje, sekretari i përgjithshëm Luan Rama thekson se në tryezën e diskutimit të kandidaturave, ku përfshihet edhe kryeqyteti, LSI do të bëjë propozimet e saj konkrete.
“Ne po përpunojmë alternativat tona qeverisëse, po shohim cfarë nuk funksionon, në mënyrë që Tirana të mos jetë kështu sic është, pa qeverisje”, ka theksuar Rama.
Por pavarësisht deklaratave publike, nga selitë e dy partive vjen një emër i vetëm i përfolur si kandidat i përbashkët per postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit dhe ky është ministri aktual i Brendshëm Lulëzim Basha.
Zoti Basha shihet si një figurë e fortë në një përballje të mundshme me kryetarin aktual të bashkisë dhe Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ka mundur të fitojë tre herë mandatin në kryeqytet përballë tre figurave të larta të Partisë Demokratike Mustafajn, Ngjelën e Olldashin.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i PS, e cila ka deklaruar se LSI dhe PD nuk kanë asnjë shpresë për të fituar qeverisjen e kryeqytetit.
“Nëse LSI mendon se mund të fitojë duke vjedhur vota, sic i vodhi më 28 qershor, ta harrojë. Por është e kuptueshme frika e LSI nga populli shqiptar. Ajo premtoi 100 mijë vende punë 1 vit më parë, ndërsa tani ka shkurtuar 100 mijë të tilla. Për më tepër, në derexhenë ku e ka katandisur vendin Sali Berisha, nuk ka shqiptar që voton për të dhe aleatët e tij”, ka deklaruar zëdhënësja Ermela Imeraj.
Top Channel