Asnjë penalizim për shkarkimet në det

07/08/2010 19:30

Asnjë ndëshkim për subjektet që derdhin ujërat e zeza në det. Pavarësisht se janë evidentuar vatra të ndotjes detare gjatë aksionit të fundit të inspektorëve të Mjedisit në plazhe, masat administrative kanë munguar pasi rrugët janë betonuar duke i bërë të padukshme ndërhyrjet në tubacionet ku shkarkohen ujërat e zeza të hoteleve dhe godinave shumëkatëshe.

Mungesa e rrjetit të kanalizimeve në zonë, shpërndarja e përgjegjësisë dhe mesa duket edhe pamundësia në mjete e strukturave mjedisore për të evidentuar konkretisht subjektet që ndotin Adriatikun e ka lënë aksionin në nivelin e një konstatimi të vakët.

Pesë janë vatrat e ndotjes të evidentuara gjatë aksionit në zonën e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës, vatra që janë të hershme dhe të dukshme nga syri i cdokujt.

Aksioni duket i vonuar dhe i nxitur nga publikimet në media të raporteve mbi plazhet e ndotura, ndërkohë që plazhet janë të mbushura me pushues.

Kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Ramazan Kilia shprehet se që prej një muaji e gjysmë punohet për të evidentuar rastet e ndotjes akustike në plazh dhe ato të derdhjes së ujërave të zeza.

Ndërkohë që fillimi i javës do të mbledhë në tryezën e prefektit të Durrësit të gjithë drejtuesit mjedisorë dhe ata të pushtetit vendor, për të përcaktuar detyrat konkrete për ndalimin e fenomenit përmes masave shtrënguese ndaj subjekteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA