Departamenti amerikan i Shtetit sërish monitoron zhvillimet në Kosovë. Sipas raportit, qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Megjithatë, në këtë raport Kosova cilësohet si cak i rëndësishëm i strehimit të terroristeve, por nuk është shënuar ndonjë akt i drejtpërdrejt terrorizmi.

Por, raporti vëren se në periudhën e vitit 2009, ekstremistë islamikë kanë qenë të përfshirë në komplote terroriste brenda Kosovës dhe në plan ndërkombëtar.

Raporti tregon se, ekstremistët islamikë kanë vazhduar të mbajnë lidhje me krimin e organizuar. Ndërkohë, thuhet se, qeveria e Kosovës dhe EULEX-i kanë mbikëqyrur gjatë gjithë vitit aktivitete që dyshohet të jenë terroriste, por nuk kanë arritur të parandalojnë disa nga shumë organizatat islamike joqeveritare që veprojnë në Kosovë.

Sipas raportit, OJQ-të të cilat ishin të përfshira në aktivitete të dyshimta terroriste, në veçanti janë të fokusuara në pastrimin e parave për veprime terroriste në Lindjen e Mesme.

Më tej thuhet se, përkundër angazhimit të qeverisë për parandalim të keqpërdorimit të OJQ-ve nga ekstremistët islamikë, ato vazhdojnë se funksionuari në Kosovë.

Aty përmendet Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe EULEX-i, që sipas raportit kanë ngritur dyshimet e lartpërmendura.

DASH bënë përgjegjëse kryesore Policinë e Kosovës dhe Njësinë Kundër Terrorizmit të EULEX-it për luftimin e terrorizmit në Kosovë.

Sipas raportit, të dyja këto struktura vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh, stërvitjesh dhe ekspertize.

Ndërkohë thuhet se, ato janë të fokusuara në parandalimin e sulmeve terroriste dhe aftësimin e pajisjen e oficerëve.

Sipas raportit, shqetësuese mbeten pikat kufitare. Sipas vlerësimeve, në kufijtë e Kosovës lehtësisht mund të hyjnë individë të përfshirë në trafikimin e njerëzve, armëve dhe narkotikëve.

Zyra e Prokurorit Special të Kosovës, e krijuar në vitin 2006, ka kryer të gjitha hetimet që lidhen me terrorizmin.

Kjo zyrë raporton se ka një rast me akuza për terrorizëm në fazën e gjykimit dhe se po ndjek edhe 10 raste të tjera. Por mes gjithë këtyre vërejtjeve lavdërohet puna e Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

Sipas raportit amerikan, ky dikaster ka bërë disa përparime të vogla në përmirësimin e kontrollit të kufijve, ndërkohë që pasaportat e Kosovës kanë garanci sigurie.

Top Channel