PS: Vokshi, pronare nafte

06/08/2010 15:50

Socialistet kanë vijuar akuzat ndaj ish-këshilltares ekonomike të kryeministrit Berisha dhe aktualisht deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, e cila sipas tyre ka përfituar në mënyrë të paligjshme favore për kompanitë e bashkëshortit të saj.

“Bashkëshorti i zonjës Vokshi, babai i fëmijës së saj, është një nga aksionerët kryesorë të një kompanie të regjistruar në ishujt Kajman, e cila aktualisht vepron në fushën e nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror në Shqipëri. Sic thuhet edhe në faqen zyrtare të kësaj kompanie, Stream Oil u krijua për të shfrytëzuar rezervat e naftës në Shqipëri. Sot kjo kompani, megjithëse është regjistruar në bursën e Torontos, zhvillon aktivitetin e saj vetëm në Shqipëri”, ka deklaruar deputetja e PS, Olta Xhacka.

Sipas dokumentave të publikuara nga PS, bashkëshorti i zonjës Vokshi zotëron 12 për qind të aksioneve në këtë kompani, me një vlerë monetare të përafërt me 3 milionë e gjysmë dollarë, një shifër kjo që sipas selisë rozë nuk është deklaruar nga deputetja Vokshi.

Në formularin e Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit rezulton se bashkëshorti i saj është rregjistruar si përfaqësues ligjor i kësaj kompanie në 2 prill 2008 dhe 4 muaj më pas ka përfituar me vendim të Këshillit të Ministrave tre fusha prodhimi nafte dhe gazi natyror.

“Thënë ndryshe, kompanisë së zonjës Vokshi i janë dhënë dhjetëra miliona dollarë naftë shqiptare me të drejta pronësie për 25 vjet, me taksa qesharake e praktika korruptive. Pasuria publike e shqiptarëve i është falur burrit të këshilltares së Berishës nga vetë Berisha, dhjetëra miliona dollarë, pa procedura transparente, një kompanie e cila është krijuar vetëm për të pasuruar zonjën Vokshi, në kohën kur ajo ishte shtatzënë me atë që thotë se nuk e ka burrë”, ka shtuar Xhacka.

Socialistët e cilësojnë këtë si rastin e dytë pas atij të Priftit që tregon mënyrën korruptive sesi funksionon kabineti aktual.

Top Channel