Lidhja Demokratike e Dardanisë adreson kritika të shumta tek qeverisja e koalicionit PDK-LDK.

Sipas partisë së akademikut Nexhat Daci, është brengosëse që ende nuk mund të bëhet fjalë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, e veçmas në pjesën verore të saj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike te Dardanisë, Lulzim Zeneli thotë se, institucionet kosovare kanë mungese të politikave shtetërore dhe mungon funksionimi i shtetit kushtetues.

“Mungesa e gatishmërisë institucionale për të shtrirë pushtetin kushtetues në pjesën veriore të Kosovës dhe për të garantuar sovranitetin e vendit në njërën anë dhe në anën tjetër. Mungesa e vullnetit real për t’u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsioni janë indikator që tregojnë se koalicioni qeverisës po e fut vendin në rreth vicioz, duke iu shmangur problemeve substanciale që përcaktojnë perspektiven e vendit”, ka deklaruar Zeneli.

LDD kritikoi edhe angazhimin e institucioneve pas shpalljes së mendimit të GJND-së, që sipas tyre është në nivel shumë të dobët.

Mirëpo të gjitha këto kritika hidhen poshtë nga kryeministri kosovar Hashim Thaci. Ai vazhdon të lavdërojë angazhimin e kryediplomatit Skënder Hyseni, të cilit dhe i jep mbështetje të fortë në luftën diplomatike me Serbinë.

“Unë i kuptoj zërat e ndryshëm. Ne kemi prezantuar politikë dhe diplomaci unike. Zoti Hyseni ka bërë një prezantim të shkëlqyer në GJND, që ishte dhe një fitore e rëndësishme e Kosovës. Tani ne duhet të lëvizim që Kosova të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB. Janë zëra të painformuar”, ka deklaruar Thaci.

Ndërkohë, partia e Nexhat Dacit këmbëngul se, vazhdimi i kësaj politike joshtetërore dhe derisa udhëheqja e vendit vazhdon të ketë probleme të mëdha me organet e gjyqësorit dhe hetuesisë, rruga e Kosovës drejt proceseve integruese do të jetë edhe më e gjatë dhe më e vështirë.

Top Channel